Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe përfshirjen më të gjerë të Kosovës në strukturat ndërkombëtare të sigurisë, duke shprehur mbështetjen për anëtarësimin e saj të ardhshëm në NATO.
Deklaratat u bënë gjatë Konferencës së 14-të të Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), e cila këtë vit u organizua në Shqipëri, nën bashkëdrejtimin e vendit tonë dhe Italisë.
Në këtë aktivitet të nivelit të lartë morën pjesë përfaqësues të nëntë vendeve anëtare të nismës: Shqipërisë, Italisë, Austrisë, Kroacisë, Hungarisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë dhe Sllovenisë.
Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, komandanti i misionit KFOR në Kosovë, komandanti i misionit EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj theksoi se zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë dëshmuar se siguria nuk mund të garantohet vetëm përmes përpjekjeve individuale të shteteve, por kërkon bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm mes aleatëve.
“Kërcënimet tradicionale bashkëjetojnë me rreziqe të reja: sulmet kibernetike, ndërhyrjet hibride, dezinformimin dhe cenimin e infrastrukturës kritike. Në këto kushte, për të gjitha vendet, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve që ato kanë, siguria mbetet prioritet strategjik dhe ajo nuk mund të garantohet e vetme”, deklaroi Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi se aftësia për të parandaluar dhe përballuar së bashku kërcënimet përbën një nga elementet kryesore të sigurisë kolektive dhe të rëndësisë strategjike të nismës DECI.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, Presidenti paralajmëroi se zhvillimet aktuale tregojnë brishtësinë e paqes dhe rrezikun e vazhdueshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve.
“Paqja është e brishtë, se kufijtë dhe sovraniteti i shteteve mund të kërcënohen dhe se siguria nuk është një arritje e pakthyeshme”, u shpreh ai.
Në këtë kontekst, Begaj vlerësoi progresin e arritur nga DECI gjatë viteve të funksionimit të saj, duke kërkuar që bashkëpunimi mes vendeve anëtare të zgjerohet në fusha konkrete, si shkëmbimi i teknologjive dhe ekspertizës, mbrojtja kibernetike, modernizimi i kapaciteteve ushtarake, siguria detare dhe zhvillimi i infrastrukturës strategjike.
Presidenti riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e investimeve në sektorin e mbrojtjes.
“Për Shqipërinë, forcimi i NATO-s, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe zgjerimi i sigurisë përmes bashkëpunimit rajonal mbeten prioritet të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”, deklaroi Kreu i Shtetit.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Begaj ia kushtoi situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar progresin e arritur në rajon, por duke paralajmëruar se stabiliteti nuk mund të konsiderohet ende plotësisht i konsoliduar.
Në këtë kuadër, ai kërkoi një arkitekturë rajonale sigurie më gjithëpërfshirëse, ku Kosova të ketë mundësi të japë kontributin e saj.
“Besoj se forcimi i arkitekturës rajonale të sigurisë kërkon një bashkëpunim gjithnjë e më gjithëpërfshirës, ku edhe Kosova duhet të ketë vendin dhe kontributin e saj. Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, deklaroi Begaj.
Presidenti theksoi gjithashtu rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe të misioneve të tjera ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe institucioneve euroatlantike mbetet thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Në përfundim, Begaj kërkoi që Konferenca e DECI-t të shërbejë si një platformë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe marrjen e përgjegjësive konkrete nga vendet pjesëmarrëse.
“Paqja nuk ruhet vetëm duke thënë se e dëshirojmë atë; paqja ruhet duke investuar, duke investuar në siguri, duke investuar për të forcuar aleancat, duke investuar për të vepruar së bashku”, përfundoi Presidenti i Republikës.
Konferenca e zhvilluar në Shqipëri riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe rolin e nismës DECI në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Europën Juglindore.


