Steinmeier: Biznesi i vëmendjes, një kërcënim për demokracinë
Presidenti i Gjermanisë kritikoi ashpër modelin e biznesit të rrjeteve sociale. Ai bën thirrje për një aleancë mes Evropës e SHBA.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka bërë thirrje për rregulla më efikase për rrjetet sociale. Në këtë mënyrë mund të frenohen më mirë gjuha e urrejtjes dhe lajmet e rreme në internet.
Në takimin “Forum Bellevue”, Steinmeieri tha se ai ishte kritik ndaj modelit të biznesit të platformave të tilla si Facebook dhe Twitter, model i cili – siç u shpreh ai konkretisht- synon eksitim, zemërim, tërbim dhe frikë.
Shpejtësia dhe acarimi shpërblehen, qëndrimet e njëanshme dhe të pavërtetat mbeten pa përgjigje, demagogjia dhe propaganda shumë shpesh mbeten pa u qortuar.
Biznesi i vëmendjes, sipas Presidentit gjerman, po bëhet një kërcënim për demokracinë.
Vlerat mbi të cilat ndërtohet çdo demokraci, siç janë respekti, e vërteta dhe ndjenja e përgjegjësisë, nuk llogariten. Steinmeier e sheh këtë si kërcënim serioz për demokracinë, jo së fundi sepse armiqtë e saj i shfrytëzojnë me shkathtësi këto pika të dobëta. Akuzat që Steinmeier u bën kompanive të mëdha të teknologjisë si Facebook, Youtube, Twitter dhe Co. nuk janë të reja, por qartësia në të cilën ai i përmendi ato të tërheq vëmendjen.
Në luftën për rregullat që duhet të zbatohen për operatorët e platformave, Steinmeieri mbështetet në një aleancë evropiano-amerikane. “Ne duhet t’i kundërvihemi modelit të diktaturës digjitale me një alternativë demokratike”, tha ai, duke iu referuar politikës së internetit të Rusisë dhe Kinës.
Nga ana tjetër, për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, ai sheh mundësinë e krijimit të një “teknosfere” të përbashkët, që mund të përcaktojë standardet globale. Kjo do të ishte një rivendosje e partneritetit transatlantik, tha Steinmeier.
Eunews.al