Rama uron Kurtin për mandatin e ri dhe e fton për vizitë në Shqipëri

15 Sep 2026 16:29
Shpërndaje:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një letër urimi nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama, me rastin e nisjes së mandatit të ri qeverisës.

Në mesazhin e tij, Rama i përcolli Kurtit urimet për sukses, ndërsa rikonfirmoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe fushat.

“Mandati juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses”, shkroi Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri shqiptar theksoi rëndësinë e koordinimit mes Tiranës dhe Prishtinës për përshpejtimin e rrugëtimit të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“E shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të qeverisë që unë drejtoj për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejt shtëpisë së përbashkët evropiane”, thuhet në letër.

Reklamë InterMedika

Rama kërkoi gjithashtu zbatimin sa më të plotë të marrëveshjeve të miratuara më herët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe shqyrtimin e projekteve të reja në sektorët më të rëndësishëm.

Sipas tij, angazhimi në nisma të përbashkëta do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

“Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkroi kryeministri shqiptar.

Në përfundim të letrës, Rama i uroi Kosovës përparim të gjithanshëm dhe e ftoi kryeministrin Albin Kurti për një vizitë zyrtare në Shqipëri.