Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Napoli për inaugurimin e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë, vizitoi Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “L’Orientale”.
Kjo katedër konsiderohet një nga qendrat historike të studimeve albanologjike në Itali. E themeluar nga Jeronim De Rada dhe intelektualë të tjerë arbëreshë, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Gjatë takimit me stafin akademik, Rama vlerësoi traditën e krijuar ndër vite dhe punën kërkimore të zhvilluar në këtë universitet për trashëgiminë shqiptare.
Kreu i qeverisë theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit me institucionet shqiptare dhe propozoi krijimin e një rrjeti më të strukturuar, i cili do të ndihmonte në ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e studimeve albanologjike.
“Ta krijojmë një lloj rrjeti këtu në universitet, me idenë që më pas të mund të ndihmojmë në mënyrë më të strukturuar dhe gjithashtu ta përdorim për të ruajtur e për të shfrytëzuar më mirë gjithçka që prodhohet këtu”, u shpreh Rama.
Nisma synon të krijojë lidhje më të qëndrueshme ndërmjet studiuesve, universiteteve dhe institucioneve që punojnë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, si dhe ta bëjë më të aksesueshme veprimtarinë akademike të zhvilluar në Itali.
Në vizitën në Universitetin “L’Orientale”, kryeministri shoqërohej edhe nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Gjatë qëndrimit në Napoli, Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë, e cila pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme lidhjeje për komunitetin shqiptar dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.


