Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në një postim në platformën “X”, Rama e cilësoi situatën si të paprecedentë dhe kritikoi zgjatjen e paraburgimit të Veliajt. Sipas tij, mbajtja e kryebashkiakut në qeli po sjell pasoja të drejtpërdrejta për administrimin e kryeqytetit dhe qytetarët e Tiranës.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se vendimet e gjykatave duhet të respektohen dhe deklaroi se ai vetë i nënshtrohet këtij parimi. Rama shtoi se zakonisht nuk komenton vendimet gjyqësore përpara se ato të marrin formë të prerë.
“Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nënshtrohem gjithnjë këtij rregulli, madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë”, vijoi ai.
Megjithatë, kryeministri ngriti pikëpyetje mbi arsyet që, sipas tij, justifikojnë vazhdimin e masës së arrestit në burg ndaj Veliajt. Ai e cilësoi çështjen e kryebashkiakut si një rast unik në historinë e Evropës demokratike dhe pretendoi se ende nuk është bërë publike një provë që të dëshmojë rrezikshmëri të lartë.
“Përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit, pasoja kryesore e situatës është mungesa e drejtimit efektiv të Bashkisë së Tiranës. Ai tha se kostoja e krijuar po rëndon mbi afro një milion banorët e kryeqytetit.
“Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milion banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, përfundoi Rama.


