Shqipëria dhe SHBA trajnim me helikopterët Black Hawk për evakuime mjekësore

14 Sep 2026 20:04
Shpërndaje:

Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe ato të Shteteve të Bashkuara zhvilluan një trajnim të përbashkët për misionet e evakuimit mjekësor dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Aktiviteti u zhvillua në Bazën Ajrore të Farkës dhe në Komandën e Forcës Tokësore, bëri të ditur Ambasada amerikane në Tiranë.

Gjatë trajnimit u përgatitën dhe u pajisën kabinat e helikopterëve UH-60 Black Hawk për realizimin e misioneve të evakuimit mjekësor. U testuan gjithashtu pajisjet për monitorimin e pacientëve, të cilat do të mundësojnë ofrimin e kujdesit mjekësor gjatë fluturimit.

Reklamë Ola

Aktivitetin e ndoqi nga afër gjeneralmajorja Lisa Hou, drejtoreshë e Zyrës së Shërbimeve Mjekësore në Byronë e Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Ambasadës amerikane, Hou vlerësoi profesionalizmin dhe aftësitë e personelit të Forcës Ajrore shqiptare.

Reklamë InterMedika

“Ky bashkëpunim i vazhdueshëm forcon më tej partneritetin ndërmjet forcave amerikane dhe shqiptare, në mbështetje të operacioneve reale të kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.

Trajnimi synon të rrisë gatishmërinë e Forcave të Armatosura shqiptare për ndërhyrje në situata emergjente, transportimin e të plagosurve dhe ofrimin e ndihmës mjekësore në bordin e helikopterëve Black Hawk.