Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por paralajmërojnë se kriza e zgjatur politike dhe vonesat në formimin e institucioneve po pengojnë përparimin e prioriteteve të përbashkëta mes dy vendeve.
Qëndrimi pritet të paraqitet nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Daniel Lawton, gjatë dëshmisë së tij përpara Kongresit.
Sipas dëshmisë së përgatitur, zgjedhjet e përsëritura dhe periudhat e gjata me institucione në detyrë kanë kufizuar mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës.
Administrata amerikane i bën thirrje Kosovës që ta përmbyllë procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Shqetësim për komunitetin serb
Uashingtoni shpreh shqetësim edhe për gjendjen e komunitetit serb në Kosovë dhe kërkon garantimin e të drejtave dhe mbrojtjes së barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
SHBA-ja thekson gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të misionit të KFOR-it për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Sipas Lawtonit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit të nevojshëm politik nga të dyja palët.
Shtetet e Bashkuara u kërkojnë Prishtinës dhe Beogradit të shmangin veprimet provokuese, të përmbushin zotimet e marra dhe t’u rikthehen bisedimeve pa parakushte.
Uashingtoni forcon partneritetin me Serbinë
Në të njëjtën kohë, administrata amerikane po synon ta forcojë partneritetin me Serbinë përmes bashkëpunimit në fushat e energjisë, mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.
Sipas qëndrimit amerikan, përparimi i qëndrueshëm në rajon kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre dhe të fokusohen te stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes.
Politika e administratës amerikane për rajonin mbështetet në tri shtylla kryesore: ruajtjen e stabilitetit, avancimin e interesave ekonomike dhe tregtare, si dhe luftimin e kërcënimeve të sigurisë.
Uashingtoni kërkon gjithashtu që aleatët e NATO-s në Ballkan të rrisin investimet dhe kontributin e tyre në mbrojtje.
Bashkëpunimi me vendet e rajonit
Për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, SHBA-ja veçon zgjerimin e bashkëpunimit në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi.
Mesazhi i përgjithshëm i Uashingtonit është se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen te stabiliteti dhe zhvillimi, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin në rajon përmes partneriteteve ekonomike dhe të sigurisë.


