Stadiumi i ri në Prishtinë, UEFA dhe FFK diskutojnë realizimin e projektit

25 Nov 2026 • 10:35
Shpërndaje:

Ndërtimi i stadiumit të ri në Prishtinë, i cili pritet t’i shërbejë edhe Kombëtares së Kosovës, është rikthyer në fokus pas vizitës dyditore të përfaqësuesve të lartë të UEFA-s në Kosovë.

Delegacioni i UEFA-s, i përbërë nga Petr Fousek dhe Thierry Favre, zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pas takimit me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, dhe vizitave në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali dhe stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në takim morën pjesë edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, dhe drejtori i Sportit në Prishtinë, Granit Geci.

Reklamë Ola

Sipas FFK-së, diskutimet u përqendruan në ndërtimin e stadiumit të ri të kryeqytetit dhe Kombëtares së Kosovës, mbështetjen e UEFA-s për realizimin e projektit, si dhe mundësinë që Prishtina të mirëpresë ngjarje të rëndësishme të futbollit evropian, përfshirë finalet e garave të UEFA-s.

Palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit ndërmjet FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s për realizimin e këtij projekti strategjik.

Reklamë InterMedika

Ndërtimi i një stadiumi modern, që përmbush standardet më të larta të UEFA-s, do të krijonte mundësi të reja për organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare të futbollit dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

Ndërkohë, ministri i Sportit, Blerim Gashani, gjatë takimit me delegacionin e UEFA-s, bëri të ditur se, krahas vijimit të punimeve në stadiumet ekzistuese, së shpejti pritet të njoftohet edhe fillimi i ndërtimit të stadiumit kombëtar.