Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se rezervon të drejtën për të apeluar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me mënyrën e llogaritjes së dënimit prej 17 muajsh burgim në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka bërë të ditur se mbrojtja rezervon të drejtën për të kundërshtuar para Dhomës së Apelit vendimin lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.
Më 17 nëntor 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës e shpallën Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, duke e dënuar me 17 muaj burgim.
Në arsyetimin e vendimit, gjykatësi vlerësoi se koha e kaluar në paraburgim në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta nuk mund të llogaritej njëkohësisht për dy dënime që lidhen me vepra penale të ndryshme.
Mbrojtja e kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se, nëse do të merrej parasysh koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në rastin 12, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej tashmë i vuajtur.
“Po t’i ishte njohur z. Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në argumentimin e avokates Menegon.
Mbrojtja ka sqaruar se, për momentin, nuk synon të paraqesë parashtrime të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit, por rezervon të drejtën për të apeluar aktgjykimin, përfshirë vendimin mbi vuajtjen e njëkohshme të dënimeve dhe njohjen e kohës së kaluar në paraburgim.


