“National Geographic” promovon Vjosën, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës

25 Nov 2026 • 10:53
Shpërndaje:

Bukuritë natyrore të lumit Vjosa, biodiversiteti dhe potenciali i tij për zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale janë në qendër të një reportazhi të prestigjiozes “National Geographic”.

Eksploruesi dhe fotografi Nick St. Oegger sjell një udhëtim përgjatë rrjedhës së Vjosës, duke evidentuar peizazhet e saj të veçanta, vlerat ekologjike, traditat dhe mundësitë që lumi krijon për banorët e zonave përreth.

“Herën e parë që pashë Vjosën, nuk e kuptova se po shihja një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Të ndjekësh Vjosën përmes Shqipërisë do të thotë të afrohesh me diçka të rrallë, një lumë që rrjedh sipas rregullave të veta”, shprehet eksploruesi.

Reklamë Ola

Reportazhi ndalet në Përmet dhe Grykën e Këlcyrës, ku rrjedha e lirë e lumit ka krijuar mundësi për zhvillimin e turizmit të aventurës, veçanërisht raftingut dhe kajakut.

Përmes dëshmive të sipërmarrësve vendas, “National Geographic” evidenton ndikimin e Vjosës në ekonominë lokale. Sipas një prej sipërmarrësve të intervistuar, rreth 400 familje përfitojnë të ardhura nga aktivitetet turistike që zhvillohen përgjatë lumit.

Reklamë InterMedika

Vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu traditave dhe artizanatit vendas, duke pasqyruar lidhjen e komuniteteve me natyrën dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore ndër breza.

Udhëtimi vijon drejt zonave ligatinore pranë grykëderdhjes së Vjosës dhe Lagunës së Nartës, ku reportazhi evidenton pasurinë e biodiversitetit dhe rëndësinë ekologjike të këtyre habitateve.

Sipas ekologut vendas të intervistuar, në këtë zonë numërohen më shumë se 200 lloje shpendësh, ndërsa flamingot përbëjnë një nga atraksionet më të veçanta natyrore.

Përmes reportazhit, “National Geographic” sjell në vëmendjen e publikut ndërkombëtar jo vetëm bukuritë natyrore të Shqipërisë, por edhe rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve të egra dhe potencialin e turizmit të qëndrueshëm për zhvillimin e komuniteteve lokale.