Tirana mirëpret sot edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e cila do të mbledhë mbi 600 investitorë nga Evropa dhe rajoni, si dhe personalitete të politikës evropiane dhe ekonomistë të njohur.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përcjellë një mesazh me rastin e zhvillimit të këtij aktiviteti në kryeqytetin shqiptar.
“Mirëmëngjes dhe me Tiranën, e cila mirëpret Konferencën e Dytë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku mblidhen mbi 600 investitorë, nga Europa e rajoni, si edhe disa figura të shquara të politikës europiane dhe ekonomistë të mirënjohur po ashtu, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Konferenca, e cila do të zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor, synon të promovojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, tërheqjen e investimeve ndërkombëtare dhe forcimin e partneriteteve ndërmjet bizneseve të rajonit dhe atyre evropiane.
Në fokus të diskutimeve do të jenë financimi i sipërmarrjeve, inovacioni, inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura digjitale dhe integrimi ekonomik i rajonit në tregun evropian.
Punimet e konferencës pritet të përmbyllen nesër me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.


