Si futbolli zëvendësoi politikën: Katalanasit dhe baskët udhëheqin Spanjën drejt finales së Botërorit
July 19, 2026
Teksa Spanja përgatitet të përballet me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës, një element po tërheq vëmendjen përtej futbollit: dominimi i futbollistëve nga Katalonia dhe Baskia në kombëtaren spanjolle, në një kohë kur lëvizjet separatiste në këto rajone kanë humbur vrullin politik.
Në vitin 2010, kur Spanja fitoi për herë të parë Kupën e Botës, skuadra mbështetej te një brez futbollistësh të Barcelonës si Xavi Hernández, Carles Puyol, Gerard Piqué dhe Sergio Busquets, të gjithë katalanas. Stili i lojës i ndërtuar nga Barcelona u bë identiteti i futbollit spanjoll.
Por ajo verë historike u shoqërua edhe me një krizë politike. Një ditë para finales ndaj Holandës, qindra mijëra katalanas protestuan në Barcelonë kundër një vendimi gjyqësor që kufizonte kompetencat e rajonit. Kjo shënoi fillimin e një periudhe tensionesh që kulmoi në referendumin e diskutueshëm për pavarësinë e Katalonisë në vitin 2017.
Sot, 16 vjet më vonë, situata politike ka ndryshuar ndjeshëm.
Megjithëse ndjenjat pro pavarësisë nuk janë zhdukur, ato nuk konsiderohen më prioritet për shumicën e qytetarëve.
“Nuk është se dëshira për pavarësi është zhdukur, por askush nuk e sheh më si prioritet”, tha Lola García, kolumniste e gazetës katalanase La Vanguardia.
Edhe ministri spanjoll i Drejtësisë, Félix Bolaños, deklaroi se “normaliteti dhe bashkëjetesa janë rikthyer”, duke vlerësuar se vendi ka lënë pas një nga krizat më të mëdha të demokracisë spanjolle.
Ndërkohë, ndikimi i Katalonisë dhe Baskisë në futboll është më i madh se kurrë.
Në skuadrën aktuale spanjolle, futbollistët nga këto dy rajone janë më të shumtë se ata nga 15 rajonet e tjera të vendit së bashku. Për më tepër, kombëtarja nuk ka asnjë lojtar të Real Madridit, klubit simbol të kryeqytetit spanjoll.
Ndikimi bask është rritur ndjeshëm edhe në nivel klubesh dhe trajnerësh.
Mikel Oyarzabal dhe Nico Williams ishin autorët e golave që i dhanë Spanjës titullin europian në vitin 2024, ndërsa trajnerë baskë si Mikel Arteta dhe Andoni Iraola drejtojnë skuadra të rëndësishme në Premier League.
Media baske Crónica Vasca madje shkroi se “Premier League flet baskisht”, duke iu referuar numrit në rritje të trajnerëve nga ky rajon në futbollin anglez.
Ndërkohë, partitë separatiste në Kataloni janë përçarë pas dështimit të përpjekjes për pavarësi në vitin 2017.
Shumë prej liderëve që u burgosën janë liruar, ndërsa figura si Carles Puigdemont kanë përfituar nga ligji i amnistisë i miratuar nga qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez.
Së fundmi, edhe Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendosi në favor të Puigdemont, duke i hapur rrugën një rikthimi të mundshëm në Spanjë pa rrezikuar burgun.
Sipas analistëve, çështje si kriza e banesave, emigracioni dhe ekonomia kanë zëvendësuar pavarësinë në listën e shqetësimeve të qytetarëve.
Edhe në Baski, ku organizata separatiste ETA i dha fund aktivitetit të saj në vitin 2018 pas dekadash dhune, mbështetja për pavarësinë ka rënë ndjeshëm.
Megjithatë, nacionalistët në të dy rajonet vazhdojnë të kërkojnë njohjen e kombëtareve të tyre të futbollit.
Lideri bask Aitor Esteban deklaroi para gjysmëfinales mes Spanjës dhe Francës se nuk mbështet asnjërën prej tyre.
“Kombëtarja ime është kombëtarja baske. As Franca dhe as Spanja nuk kanë mbështetjen time, sepse të dy shtetet na pengojnë të kemi një ekip kombëtar zyrtar”, tha ai.
Megjithatë, pavarësisht debatit politik, suksesi i kombëtares spanjolle duket se ka zbutur ndarjet.
Shumë katalanas dhe baskë mbështesin sot Spanjën për shkak të lojtarëve të tyre, si Dani Olmo, Pau Cubarsí, Marc Cucurella apo Lamine Yamal.
Jo të gjithë ndajnë të njëjtin qëndrim.
Deputeti i partisë separatiste Esquerra Republicana, Francesc-Marc Álvaro, e sheh kombëtaren si një instrument politik.
“Kombëtarja spanjolle përpiqet të përcjellë një ide pozitive të Spanjës dhe t’u thotë nacionalistëve katalanas e baskë se kjo është edhe skuadra e tyre. Për mua, kjo është një strategji propagandistike, sepse ndërkohë nuk na lejohet të kemi një kombëtare katalanase që të garojë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Sipas analistëve, nëse dikur debati në Spanjë dominohej nga pavarësia, sot futbolli ka zënë vendin e politikës, duke u kthyer në elementin që bashkon më shumë sesa ndan vendin.