Shqipëria siguron dy medaljet e para në “Taranto 2026”, Abakarov dhe Dudaev në finale për të artën

23 Aug 2026 20:25
Shpërndaje:

Shqipëria ka siguruar dy medaljet e para në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që po zhvillohen në Itali. Mundësit kuqezinj Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev kanë arritur të kualifikohen në finalet e kategorive të tyre dhe të hënën do të luftojnë për medaljet e arta.

Zelimkhan Abakarov zhvilloi një paraqitje të fortë në kategorinë deri në 65 kilogramë në stilin e lirë. Ai e nisi garën me fitoren 3-0 ndaj egjiptianit Shehabeldin Eman, duke siguruar kalimin në fazën tjetër.

Në gjysmëfinale, Abakarov u përball me sirianin Ahmad Dirki, të cilin e mposhti me rezultatin 6-2. Fitorja i siguroi mundësit shqiptar një vend në finale dhe të paktën medaljen e argjendtë.

Reklamë Ola

Një tjetër paraqitje bindëse për Shqipërinë erdhi nga Islam Dudaev në kategorinë deri në 74 kilogramë. Në ndeshjen e parë, Dudaev mposhti me rezultatin 11-2 mundësin nga Kosova, Egzon Xhoni.

Në çerekfinale, kuqeziu dominoi përballjen me grekun Georgios Ioakeimidis, duke triumfuar 10-0. Edhe në gjysmëfinale Dudaev vazhdoi serinë e fitoreve, duke mundur 3-1 spanjollin Mohammad Mottaghinia dhe duke prerë biletën për në finale.

Reklamë InterMedika

Me kualifikimin e të dy sportistëve në finale, Shqipëria ka të garantuara të paktën dy medalje të argjendta, ndërsa synimi tashmë është podiumi më i lartë.

Finalet do të zhvillohen të hënën pasdite, kur Abakarov dhe Dudaev do të kërkojnë t’i dhurojnë Shqipërisë dy medalje të arta në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.