Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi në Tiranë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian do të vazhdojë të bazohet në meritë, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të ecë ngadalë.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen tha se Komisioni Europian do të përgatisë udhërrëfyes konkretë për vendet që kanë bërë përparimin më të madh në procesin e zgjerimit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Kjo linjë përputhet me qëndrimin e Komisionit se zgjerimi duhet të mbetet i bazuar në meritë, por të bëhet më dinamik dhe i parashikueshëm.
“Anëtarësimi do të bazohet në merita, por kjo nuk do të thotë se është një proces i ngadaltë. Ne do të përcaktojmë udhërrëfyes për vendet që kanë bërë përparime më të mëdha dhe Shqipëria është një prej tyre”, tha Von der Leyen.
Sipas saj, këta udhërrëfyes do ta ndajnë procesin drejt anëtarësimit në hapa më konkretë, duke përcaktuar se çfarë duhet të realizojnë vendet kandidate dhe çfarë mbetet për t’u përmbushur në fazat e mëtejshme.
Presidentja e Komisionit theksoi gjithashtu se përgatitjet për zgjerimin nuk lidhen vetëm me vendet kandidate. Sipas saj, edhe vetë Bashkimi Europian duhet të shqyrtojë institucionet, politikat dhe financat e tij për të qenë gati për pranimin e anëtarëve të rinj. Komisioni ka konfirmuar se po punon paralelisht si për gatishmërinë e vendeve kandidate, ashtu edhe për përgatitjen e vetë Unionit për zgjerimin.
Von der Leyen nënvizoi edhe nevojën për garanci që sundimi i ligjit, demokracia dhe vlerat e BE-së të vazhdojnë të respektohen edhe pas anëtarësimit të vendeve të reja. Komisioni ka propozuar forcimin e mekanizmave kundër regresit në këto fusha në traktatet e ardhshme të anëtarësimit.
Duke folur për mbështetjen konkrete të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë, Von der Leyen iu referua edhe rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.
Ajo njoftoi se do të vizitojë shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, e rindërtuar me financim të BE-së pas dëmtimeve nga tërmeti. Vizita në këtë shkollë është pjesë e programit zyrtar të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Von der Leyen, përmes programit të mbështetjes europiane janë rindërtuar 63 shkolla, të cilat ajo i cilësoi si investim edhe në brezin e ri europian të Shqipërisë.
Vizita e Von der Leyen në Tiranë zhvillohet në një fazë kur Shqipëria ka nisur edhe mbylljen e kapitujve negociues. Në korrik, BE-ja dhe Shqipëria mbyllën përkohësisht kapitujt 25, 26 dhe 30, të parët e këtij procesi.


