Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar në Tiranë se hetimet që po zhvillohen ndaj çështjeve të ndryshme janë tregues se sistemi i drejtësisë po funksionon dhe po forcohet.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen u pyet për zhvillimet e fundit në drejtësi dhe theksoi se vetë fakti që çështjet hetohen duhet parë si provë e funksionimit të institucioneve.
“Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian.
Vizita e Von der Leyen në Tiranë zhvillohet në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, ku një nga temat kryesore është vijimi i reformave dhe avancimi i vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama tha se përgjegjësia e tij politike lidhet me garantimin që reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar të vazhdojnë pa u ndalur.
“Përgjegjësia ime politike është një dhe vetëm një: reforma në drejtësi të mos ndalet, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të zhvillohet si një mision i sistemit”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se fakti që sot hetohen apo përballen me drejtësinë persona që mbajnë ose kanë mbajtur poste të rëndësishme është, sipas tij, dëshmi e një ndryshimi të sistemit krahasuar me periudhën para reformës në drejtësi. Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në deklaratat e ditëve të fundit, duke thënë se hetimi i personave me pushtet tregon se korrupsioni po luftohet dhe jo se sistemi po e mbron atë.
Ai kundërshtoi idenë se personi që bën një emërim politik duhet të mbajë automatikisht përgjegjësi për çdo veprim të mëvonshëm të të emëruarit.
Sipas Ramës, përgjegjësitë individuale duhet të trajtohen nga drejtësia, ndërsa detyra e qeverisë është të mos ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe të vijojë forcimin e institucioneve.
“Kushdo që tradhton, duhet të përballet me anën tjetër të pushtetit, që është drejtësia. Kjo është demokracia”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se askush nuk duhet të merret në mbrojtje kur përballet me drejtësinë për veprime që mund të kenë pasoja penale, duke e vendosur këtë si kufirin e përgjegjësisë së tij politike.
Von der Leyen, nga ana tjetër, ka theksuar vazhdimisht se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të varet nga rezultatet konkrete të reformave dhe nga funksionimi i shtetit të së drejtës. Komisioni Europian e ka vendosur avancimin e reformave mes prioriteteve të vizitës së saj aktuale në rajon.


