Shqipëria ngjitet pranë Malit të Zi në Indeksin Evropian të Gatishmërisë 2025

28 Jul 2026 18:25
Shpërndaje:

Shqipëria ka shënuar një nga përmirësimet më të mëdha në rajon në Indeksin Evropian të Gatishmërisë 2025, duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me Malin e Zi, vendin që kryeson procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Sipas indeksit, Shqipëria është ngjitur nga 5.1 pikë në vitin 2021 në 6.7 pikë në vitin 2025, duke u renditur tashmë vetëm 0.1 pikë pas Malit të Zi, i cili vlerësohet me 6.8 pikë.

Raporti tregon se Shqipëria ka avantazh në disa prej treguesve me ndikimin më të madh ekonomik. Në Indeksin e Besimit dhe Stabilitetit, vendi ynë vlerësohet me 8.5 pikë, krahasuar me 6.1 pikë të Malit të Zi. Ky rezultat pasqyron një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për investitorët, duke rritur potencialin për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Reklamë Ola

Shqipëria renditet më lart edhe në treguesin e Atraktivitetit dhe Integrimit në Treg, ku ka marrë 9 pikë, një pikë më shumë se Mali i Zi. Ky indikator vlerëson aftësinë e ekonomisë për t’u integruar në tregun e përbashkët evropian dhe për të tërhequr kapital të huaj.

Edhe në treguesin që mat zhvillimet më të fundit, Shqipëria rezulton përpara me 6.4 pikë, kundrejt 6 pikëve të Malit të Zi.

Reklamë InterMedika

Megjithëse Mali i Zi ruan një epërsi të lehtë në përgatitjen institucionale dhe në progresin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, rezultatet e Indeksit Evropian të Gatishmërisë 2025 tregojnë se Shqipëria po e ngushton me ritme të shpejta këtë diferencë, e mbështetur nga një klimë më e favorshme ekonomike, stabilitet më i lartë dhe një atraktivitet më i madh për investime.