Le Pen nis fushatën presidenciale: Premton rend dhe një “Rilindje” për Francën

25 Oct 2026 • 23:09
Shpërndaje:

Marine Le Pen ka nisur fushatën për zgjedhjet presidenciale të prillit 2027, duke u paraqitur si garantuese e rendit dhe stabilitetit në një Francë të përfshirë nga tensionet sociale dhe problemet financiare.

Në tubimin e së dielës në Orléans, në jug të Parisit, udhëheqësja e ekstremit të djathtë përdori një ton më përmbajtës ndaj kundërshtarëve politikë dhe u përpoq të siguronte votuesit që ende ngurrojnë ta mbështesin.

“Edhe nëse sot fjalët që na vijnë ndër mend janë rrënim, rënie… trazira dhe madje kaos… ne besojmë te populli ynë dhe te Franca”, deklaroi ajo.

Reklamë Ola

Përpara mbi 8.500 mbështetësve, Le Pen tha se nuk synon një “revolucion”, por një “ndryshim të vërtetë të pushtetit”, që do t’i hapte rrugën një “Rilindjeje” të vendit.

“Nuk po themi: Ishte më mirë më parë. Ne themi: Ishte mirë më parë dhe nesër do të jetë më mirë”, u shpreh ajo.

Reklamë InterMedika

Megjithë ndryshimin e tonit, Le Pen përsëriti zotimet kryesore të Tubimit Kombëtar: rikthimin e rendit publik, forcimin e kufijve dhe dëbimin e emigrantëve pa dokumente.

“Vizioni im mbrojtës do t’u shërbejë të gjithëve”, deklaroi ajo.

Sipas një zyrtari të lartë të partisë, të cituar nga POLITICO, synimi i fjalimit ishte që Le Pen të paraqitej në rolin e një presidenteje të ardhshme dhe të bindte qytetarët që e konsiderojnë ende votën për të si një rrezik.

Tubimi zhvillohet ndërsa Franca përballet me protesta për koston e jetesës, vështirësi në miratimin e buxhetit dhe rritje të borxhit e deficitit. Sipas raportimit, kostot e huamarrjes së vendit kaluan javën e kaluar nivelin 5%, për herë të parë që nga viti 2002.

Le Pen kryeson edhe sondazhet. Sipas përmbledhjes së POLITICO-s nga mesi i tetorit, ajo do të merrte 34% të votave në raundin e parë, kundrejt 16% për kandidatin e qendrës së djathtë Édouard Philippe dhe 15% për Jean-Luc Mélenchon të së majtës radikale. Shumica e sondazheve e nxjerrin fituese edhe në balotazh.

Konferenca dyditore e Tubimit Kombëtar në Orléans u zhvillua nën masa të forta sigurie, me kontrolle të shtuara policore. Paralelisht, mijëra demonstrues të majtë protestuan të shtunën në Paris kundër ekstremit të djathtë, ndërsa tubime të tjera u mbajtën në të gjithë vendin.

Përpara fjalimit të Le Penit, presidenti i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, e paraqiti partinë si alternativën për rivendosjen e autoritetit shtetëror.

“Franca po zhytet në një dhunë të vërtetë, e cila do të dalë jashtë kontrollit nëse shteti nuk merr situatën në dorë”, deklaroi ai.

Fushata është shoqëruar edhe me përplasje akuzash pas sulmit me armë të së premtes në Trappes, pranë Parisit, ku u vra një person dhe u plagosën pesë të tjerë, përfshirë një vajzë 12-vjeçare. Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen një “sulm terrorist racist”.

Kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure, deklaroi se Tubimi Kombëtar mbante “përgjegjësi të rëndë” për klimën e krijuar, duke e akuzuar për përhapjen e pretendimeve se Franca po pushtohet dhe se popullsia e saj po zëvendësohet.

Tubimi Kombëtar i hodhi poshtë akuzat dhe pretendoi se ishte e majta radikale ajo që po nxiste dhunën.