Costa: Procesi i anëtarësimit po përparon, BE të përgatitet për zgjerimin

16 Oct 2026 • 15:20
Shpërndaje:

Liderët e Bashkimit Europian kanë miratuar gjatë mesnatës konkluzionet për zgjerimin, duke e cilësuar pranimin e vendeve të reja si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet.

Në dokumentin e miratuar, Këshilli Europian rithekson se procesi i zgjerimit duhet të vijojë, ndërsa u kërkon vendeve kandidate të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

“Vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre reformuese, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me parimin e meritokracisë që karakterizon procesin e anëtarësimit”, thuhet në konkluzionet e Këshillit Europian.

Reklamë Ola

Liderët theksojnë se përparimi drejt anëtarësimit do të vlerësohet individualisht për çdo shtet kandidat, në bazë të rezultateve konkrete të reformave dhe përmbushjes së kritereve të kërkuara.

Këshilli Europian ka vlerësuar gjithashtu punën për strategjinë e re të zgjerimit, të propozuar nga komisionerja europiane Marta Kos.

Reklamë InterMedika

Mali i Zi, në fokus të negociatave

Në konkluzione, vëmendje e veçantë i kushtohet Malit të Zi, për të cilin ka nisur puna për hartimin e traktatit të anëtarësimit.

“Këshilli Europian përshëndet punën që po kryhet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi”, theksohet në dokument.

Liderët kanë marrë gjithashtu në konsideratë synimin e Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së për të punuar drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve të mbetur negociues, në varësi të zbatimit të reformave nga Podgorica.

Costa: Duhet të përgatitemi për anëtarët e rinj

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, përshëndeti ecurinë e procesit të zgjerimit, duke përmendur zhvillimet e fundit në negociatat me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.

“Këtë javë patëm konferenca ndërqeveritare me Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë. Procesi i anëtarësimit po përparon, i nxitur nga reformat”, shkroi Costa në platformën X.

Ai theksoi se, krahas përmbushjes së detyrimeve nga vendet kandidate, edhe vetë Bashkimi Europian duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm.

“Në të njëjtën kohë, ne duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj në familjen e BE-së”, u shpreh ai.

Ndërkohë, më 28 tetor, Komisioni Europian pritet të publikojë raportet vjetore të progresit për vendet kandidate, ku do të vlerësohet ecuria e reformave dhe përmbushja e kritereve të anëtarësimit.

Këto vlerësime do të shërbejnë si një pikë referimi për hapat e mëtejshëm të secilit vend në procesin e integrimit europian.