Shqipëria dhe Kosova u prezantuan me një stendë të përbashkët në Festivalin e Ambasadave 2026 në Hagë, duke sjellë për publikun ndërkombëtar një mozaik të kulturës, traditave, gastronomisë dhe mikpritjes shqiptare.
Aktiviteti shërbeu si një mundësi për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare përpara vizitorëve nga vende të ndryshme të botës, ndërsa dy ambasadat bashkuan prezantimin e tyre përmes produkteve tradicionale dhe një programi artistik.
Vizitorët patën mundësi të njiheshin me një gamë produktesh shqiptare, mes të cilave ushqime tradicionale, verëra, çokollata, gliko dhe reçelra, duke zbuluar më nga afër shijet dhe traditat kulinare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Atmosfera në stendën e përbashkët u shoqërua edhe me muzikë dhe folklor shqiptar. Për publikun performuan Ansambli “Dardanët” dhe këngëtarja Hajrie Preniqi Gashi, të cilët sollën elemente të trashëgimisë artistike shqiptare.
Ambasada e Shqipërisë në Hagë publikoi në rrjetet sociale momente nga festivali, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një mundësi për të promovuar identitetin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit u vlerësua kontributi i Bashkisë së Skraparit dhe “Natural Albania in the Netherlands”, ndërsa falënderime iu drejtuan edhe stafeve të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës për angazhimin në përgatitjen e pjesëmarrjes së përbashkët.
Festivali i Ambasadave në Hagë mbledh përfaqësues të shumë vendeve dhe krijon një hapësirë të përbashkët për shkëmbimin kulturor, ku shtetet pjesëmarrëse prezantojnë traditat, produktet dhe elementet karakteristike të identitetit të tyre.


