Shqipëria është renditur nga media amerikane “Quartz” mes 10 destinacioneve të rekomanduara për t’u vizituar gjatë vitit 2026, me Rivierën Shqiptare në qendër të vëmendjes.
Në artikull, vendi vlerësohet për kombinimin e bregdetit, natyrës, trashëgimisë kulturore dhe kostove që vijojnë të jenë më të përballueshme krahasuar me disa prej destinacioneve më të njohura të Mesdheut.
Sipas “Quartz”, Shqipëria mbetet ende më pak e prekur nga turizmi masiv sesa destinacione të njohura si Bregu i Amalfit, Kroacia apo disa zona turistike të Greqisë.
Vëmendje e veçantë i kushtohet Rivierës Shqiptare, nga Vlora drejt Sarandës, e cila përshkruhet për plazhet, ujërat e kristalta dhe peizazhin ku malet afrohen me bregdetin. Dhërmiu, Himara dhe Ksamili janë ndër destinacionet e veçuara.
Por rekomandimet nuk kufizohen vetëm te deti. Në artikull përmenden edhe Berati dhe Gjirokastra, dy qytetet e përfshira në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s, për arkitekturën dhe trashëgiminë e tyre historike.
Gjirokastra veçohet për shtëpitë tradicionale prej guri, pazarin dhe kalanë, ndërsa Berati për arkitekturën karakteristike osmane dhe peizazhin e tij të dallueshëm.
Edhe Tirana paraqitet si një destinacion urban në transformim të shpejtë, ku zhvillimet e reja në arkitekturë, dizajn dhe hapësirat publike po ndryshojnë pamjen e kryeqytetit.
Një tjetër avantazh që nënvizon media amerikane janë kostot. Ushqimi, akomodimi dhe marrja e një makine me qira vlerësohen përgjithësisht më të lira se në disa prej destinacioneve të njohura të Adriatikut, megjithëse rritja e turizmit dhe investimeve mund ta ngushtojë gradualisht këtë diferencë.
Rritja e lidhjeve ajrore me qytetet kryesore europiane përmendet gjithashtu si një faktor që po e bën Shqipërinë gjithnjë e më të aksesueshme për vizitorët ndërkombëtarë.
Krahas Shqipërisë, në listën e “Quartz” për vitin 2026 janë përfshirë Uzbekistani, Butani, Kosta Rika, Japonia, Sllovenia, Sri Lanka, Ishujt Faroe, Pulja në Itali dhe Armenia.


