Tirana mes destinacioneve më të lira për një arratisje vjeshte në Europë

29 Sep 2026 • 09:25
Shpërndaje:

Tirana po fiton gjithnjë e më shumë terren si destinacion për turistët europianë, këtë herë duke u renditur mes qyteteve të sugjeruara për një udhëtim vjeshte me kosto të përballueshme.

Media italiane Il Resto del Carlino e ka përfshirë kryeqytetin shqiptar mes katër destinacioneve që mund të vizitohen me fluturime direkte nga Bolonja, duke veçuar çmimet e favorshme të biletave dhe mundësinë për një pushim të shkurtër jashtë sezonit të lartë turistik.

Krahas Tiranës, në listën e medias italiane janë përfshirë Budapesti në Hungari, Palma de Mallorca në Spanjë dhe Zara në Kroaci.

Reklamë Ola

Sipas artikullit, vjeshta po kthehet në një periudhë gjithnjë e më të preferuar për udhëtime. Pas fluksit të korrikut dhe gushtit, turistët mund të përfitojnë nga më pak vizitorë, temperatura më të moderuara dhe, në shumë raste, tarifa më të ulëta për fluturimet.

Në këtë panoramë, Tirana prezantohet si një destinacion në zhvillim në Europën Jugore, ku ndërthuren jeta dinamike e kryeqytetit, oferta kulturore dhe gastronomike, si dhe mundësia për të eksploruar lehtësisht zona të tjera të Shqipërisë.

Reklamë InterMedika

Një tjetër avantazh i evidentuar janë lidhjet direkte ajrore me Italinë. Nga aeroporti i Bolonjës, Tirana mund të arrihet me fluturime direkte, ndërsa në periudhën e marrë në shqyrtim nga media italiane biletat vajtje-ardhje janë ofruar për më pak se 50 euro.

Muajt e vjeshtës shihen gjithashtu si një mundësi për ta vizituar kryeqytetin shqiptar në një atmosferë më të qetë se gjatë kulmit të sezonit veror.

Interesi për Tiranën vjen paralelisht me rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përpjekjet për ta shtrirë sezonin turistik përtej muajve tradicionalë të verës.

Për turistët italianë, afërsia gjeografike, fluturimet direkte dhe kostot konkurruese e bëjnë Tiranën një alternativë për një “city break”, por edhe një pikënisje për të zbuluar destinacione të tjera të vendit.