Salla: Kontrolle të shtuara në mensat e shkollave, siguria ushqimore pa kompromis

29 Sep 2026 • 21:17
Shpërndaje:

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka bërë të ditur se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar kontrollet në mensat e shkollave, kopshtet, çerdhet dhe subjektet ushqimore që ndodhen pranë institucioneve arsimore.

Masat po ndërmerren në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla, me synim garantimin e sigurisë ushqimore për fëmijët gjatë gjithë vitit shkollor. 

“Siguria e fëmijëve tanë, brenda dhe jashtë shkollës, është një përgjegjësi e përbashkët”, shkruan Salla në një postim në rrjetet sociale.

Reklamë Ola

Sipas ministrit, kontrollet e AKU-së janë përqendruar te kushtet e ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimeve, afatet e përdorimit, etiketimi dhe origjina e produkteve.

Në fokus të inspektimeve janë gjithashtu kushtet higjieno-sanitare në ambientet ku përgatitet, ruhet apo tregtohet ushqimi që konsumohet nga fëmijët.

Reklamë InterMedika

Salla bëri të qartë se kontrollet nuk do të kufizohen vetëm në periudhën e nisjes së mësimit, por do të vazhdojnë përgjatë gjithë vitit shkollor. 

Sipas tij, procesi do të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe strukturat shëndetësore, me qëllim që fëmijët të kenë jo vetëm një mjedis të sigurt për të mësuar, por edhe ushqim të sigurt.

“Për sigurinë ushqimore të fëmijëve tanë nuk ka kompromis”, theksoi ministri i Bujqësisë.