Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilluan një bashkëbisedim me blegtorët dhe prodhuesit e qumështit, ku në fokus ishte mbështetja financiare për sektorin, lehtësimi i procedurave dhe rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.
Gjatë takimit u diskutua mbi mbështetjen prej 120 mijë lekësh për krerë, të parashikuar nga Buxheti, si dhe nevojat e tjera të fermerëve për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
Balla u ndal veçanërisht te nevoja për thjeshtimin e procedurave për pajisjen me leje ndërtimi të stallave, duke kërkuar që procesi të jetë më i lehtë dhe më pak burokratik, pa cenuar standardet dhe kriteret e përcaktuara.
“Procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një stallë duhet të jetë të paktën më i lehtë se procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një vilë. Shqipëria në vitin 2030 do të jetë në Bashkimin Europian dhe, për t’i paraprirë konkurrencës së madhe, duhet të fillojmë që tani të përgatitemi, duke rritur standardet”, u shpreh Balla.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimit ishin lehtësitë fiskale dhe masat mbështetëse për fermerët. Balla përmendi uljen e çmimit të naftës me 320 lekë nga 1 janari, si dhe uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, përfshirë qumështin, nga 20% në 6%.
“Vetëm nga ulja e TVSH-së së ushqimeve, që është për qumështin, nga 20% shkon në 6%. Gjithë totali që qeveria nuk do të mbledhë më është 150 milionë euro”, theksoi Balla.
Bashkëbisedimi shërbeu si një mundësi për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e blegtorëve, me synimin për të forcuar mbështetjen për prodhimin vendas dhe për të përgatitur sektorin e blegtorisë për standardet dhe konkurrencën e tregut europian.


