Shqipëri–Maqedoni e Veriut, përurohet sistemi “One Stop Shop” në Qafë Thanë, Rama: Drejt kufijve pa kontrolle

22 Nov 2026 • 13:56
Shpërndaje:

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur një hap të ri në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve, përmes përurimit të sistemit të integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në pikën e kalimit të Qafë Thanës.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj nisme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe përshpejtimin e procedurave kufitare.

Sistemi i ri parashikon kryerjen e kontrolleve përmes një ndalese të vetme, duke synuar reduktimin e kohës së pritjes dhe shmangien e procedurave të dyfishta për qytetarët dhe mjetet e transportit që kalojnë kufirin.

Reklamë Ola

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim si një transformim të rëndësishëm që do t’u shërbejë miliona udhëtarëve që përdorin pikën kufitare të Qafë Thanës.

Ai theksoi se nisma nuk do të kufizohet vetëm në këtë pikë kalimi, por synohet të shtrihet gradualisht edhe në pika të tjera kufitare mes dy vendeve.

Reklamë InterMedika

“Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë përdori një krahasim për të përshkruar ndryshimin që sjell sistemi i ri në mënyrën e funksionimit të kontrolleve kufitare, duke e lidhur atë me objektivin afatgjatë të integrimit evropian.

“Deri tani në këtë doganë ishim kontrollo-kontrollo. Tani jemi beso-kontrollo. Hapi tjetër është beso-beso që të mos kemi më asnjë kontroll këtu në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës pa kontrolle në kufijtë mes nesh”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, thjeshtimi i procedurave kufitare përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të një hapësire rajonale me më pak pengesa administrative dhe me lëvizje më të lehtë të njerëzve dhe mallrave.

Rama theksoi gjithashtu se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zgjerohet edhe në projekte të tjera strategjike, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës së transportit.

Në këtë kuadër, ai veçoi rëndësinë e përparimit të punimeve për Korridorin VIII, një projekt i rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike të vendeve të rajonit.

“Dua ta përforcoj Kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Pa diskutim, njëra ndër to është të çojmë para Korridorin 8”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vlerësoi bashkëpunimin mes dy qeverive dhe theksoi se vendosja e një pike të vetme kontrolli do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duhet të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare”, u shpreh Mickoski.

Sistemi “One Stop Shop” synon të përmirësojë efikasitetin e procedurave kufitare, duke mundësuar koordinim më të mirë mes autoriteteve të të dy vendeve dhe duke reduktuar vonesat që krijohen nga kontrollet e përsëritura.

Lehtësimi i qarkullimit pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në shkëmbimet tregtare, transportin ndërkombëtar dhe turizmin, duke e bërë kalimin kufitar më të shpejtë dhe më praktik për udhëtarët dhe bizneset.

Pika kufitare e Qafë Thanës përbën një lidhje të rëndësishme rrugore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa modernizimi i procedurave të kontrollit konsiderohet pjesë e përpjekjeve për rritjen e ndërlidhjes rajonale.

Përurimi i sistemit të ri shënon një tjetër hap në bashkëpunimin mes Tiranës dhe Shkupit, me synimin për të krijuar kushte më të favorshme për lëvizjen ndërkufitare dhe për t’i afruar gradualisht praktikat e kontrollit me objektivat e integrimit evropian.