Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” kanë hyrë zyrtarisht në një fazë të re, pas konstituimit të Komitetit Organizator në një mbledhje solemne të zhvilluar në Prishtinë, nën drejtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Aktiviteti shënoi nisjen e procesit të organizimit të një prej ngjarjeve më të mëdha shumëdisiplinore sportive në rajon, e cila pritet të bashkojë institucionet shtetërore, lëvizjen olimpike dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë takim mori pjesë edhe delegacioni i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i kryesuar nga presidenti Fidel Ylli, i shoqëruar nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha.
Gjatë fjalës së tij, Fidel Ylli rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe institucionet kosovare në të gjitha fazat e përgatitjes dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare. Ai e cilësoi organizimin e këtij eventi një moment historik për sportin në Kosovë dhe theksoi se Shqipëria do të jetë një partner i palëkundur në realizimin e këtij projekti.
Një nga elementët më të rëndësishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve do të jetë organizimi i garave të sporteve ujore në qytetin e Durrësit. Shqipëria do të presë këtë pjesë të rëndësishme të programit sportiv, duke e kthyer qytetin bregdetar në një nga qendrat pritëse të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Organizatorët vlerësojnë se kjo do të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin e sportit, por edhe në promovimin ndërkombëtar të Durrësit si një destinacion me potencial sportiv dhe turistik.
Në mbledhjen konstituive morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Besim Aliti, si dhe nënkryetarët Milaim Kelmendi dhe Arben Fetahu.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një nga projektet më të rëndësishme sportive që do të organizohen ndonjëherë në Kosovë dhe pritet të forcojnë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e sportit, duke rritur njëkohësisht kapacitetet organizative dhe infrastrukturën sportive në të dy vendet.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ritheksoi se do të mbetet një partner aktiv gjatë gjithë procesit të përgatitjeve, me synimin që Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” të shndërrohen në një sukses të përbashkët për sportin shqiptar dhe atë kosovar, si edhe në një mundësi të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të rajonit.


