Shqipëria dhe Italia zgjidhin ngërçin për importin e verës
Shqipëria dhe Italia kanë dakordësuar një zgjidhje teknike për problematikën që ka shoqëruar importin e verës italiane, duke i hapur rrugë vijimit normal të procedurave për operatorët ekonomikë.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Dogana Shqiptare, Agjencia e Doganave të Italisë ka pranuar propozimin e paraqitur nga pala shqiptare për zgjidhjen e situatës, në përputhje me legjislacionin italian në fuqi.
Autoritetet bëjnë të ditur se sqarimet teknike mbi procedurat do të publikohen në faqen zyrtare të Doganave Shqiptare, ndërsa importuesit janë ftuar të vijojnë aktivitetin sipas rregullave në fuqi.
Prej fillimit të këtij viti, operatorët që importojnë verë nga Italia janë përballur me rritje të pagesës së akcizës, për shkak të mosaplikimit të diferencimit të parashikuar në legjislacion.
Kuadri ligjor në Shqipëri parashikon nivele të ndryshme akcize për verën e importuar, në varësi të kapacitetit prodhues të subjektit eksportues, duke bërë dallim mes prodhuesve të vegjël dhe atyre me prodhim të madh vjetor.
Marrëveshja teknike mes dy administratave doganore synon të shmangë pengesat në procedurat e importit dhe të garantojë zbatimin korrekt të skemës së akcizës së diferencuar për operatorët që importojnë verë nga Italia.







