×
Sunday, May 17, 2026

Shqipëri–Francë nënshkruajnë marrëveshje historike për bashkëprodhime filmike në Cannes

May 16, 2026


Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes është nënshkruar marrëveshja e parë e bashkëprodhimeve kinematografike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Franceze, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë audiovizive dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se kjo marrëveshje përfaqëson një hap strategjik për kinemanë shqiptare dhe gjithë sektorin kulturor, duke hapur mundësi të reja për kineastët shqiptarë në tregun europian dhe ndërkombëtar.

Gonxhja theksoi se takimi me Ministren e Kulturës së Francës, Catherine Pégard, ishte një bisedë e ngrohtë mbi kinematografinë, reformat në sektor dhe zgjerimin e bashkëpunimeve kulturore mes dy vendeve. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar krijon një bazë të fortë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta filmike dhe rritjen e pranisë së produksioneve shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Ministrja e Kulturës së Francës, Catherine Pégard, vlerësoi afrimin kulturor mes dy vendeve, duke theksuar se marrëveshja mes CNC-së franceze dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë do të shërbejë si instrument i rëndësishëm për realizimin e bashkëprodhimeve filmike dhe forcimin e lidhjeve kulturore. Ajo u shpreh gjithashtu se shpreson të shohë në të ardhmen një film franko-shqiptar në festivalin e Cannes.

Sipas marrëveshjes së firmosur, filmat e bashkëprodhuar do të njihen si produksione kombëtare në të dy vendet, duke përfituar akses në skemat publike të financimit dhe mbështetjes për industrinë audiovizive si në Shqipëri, ashtu edhe në Francë.




Comments are closed.