Sejko: Shqipëria drejt pagesave të menjëhershme, TIPS Clone pritet të zbatohet brenda vitit

05 Sep 2026 11:58
Shpërndaje:

Besueshmëria e bankave qendrore, stabiliteti financiar dhe integrimi europian ishin në fokus të një konference të zhvilluar në Malin e Zi, ku mori pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në aktivitetin e organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi, Sejko ishte pjesë e një paneli me guvernatorët e bankave qendrore të rajonit, ku u diskutuan sfidat ekonomike në një mjedis të karakterizuar nga pasiguria dhe rëndësia e ruajtjes së besimit te institucionet financiare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se besueshmëria e bankave qendrore është thelbësore për kontrollin e inflacionit, ruajtjen e besimit të publikut dhe garantimin e stabilitetit makroekonomik.

Reklamë Ola

Duke u ndalur te Shqipëria, Sejko nënvizoi rëndësinë e ndjekjes së një politike monetare të qëndrueshme, ruajtjes së një kursi fleksibël të këmbimit dhe forcimit të mëtejshëm të sistemit financiar, në përputhje me standardet europiane.

Një tjetër çështje në fokus ishte modernizimi i sistemit të pagesave. Banka e Shqipërisë po përgatit zbatimin e TIPS Clone, sistemit të pagesave të menjëhershme, i cili pritet të implementohet deri në fund të vitit.

Reklamë InterMedika

Sistemi i ri synon të mundësojë kryerjen më të shpejtë të pagesave dhe të sjellë kursime në kohë dhe kosto si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

Në diskutime u trajtua gjithashtu anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, si një tjetër hap në afrimin e sistemit financiar shqiptar me atë europian. Përfshirja në këtë hapësirë synon të lehtësojë pagesat me vendet europiane, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Gjatë vizitës në Malin e Zi, Sejko zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe drejtues të bankave qendrore të rajonit.

Në qendër të këtyre takimeve ishin procesi i integrimit europian, forcimi i bashkëpunimit financiar rajonal dhe sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar.