Sassoli: Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE i rëndësishëm dhe strategjik
Presidenti i Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli, ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) është i rëndësishëm dhe strategjik, sipas tij, ashtu sikur gjithë proceset e tjera të anëtarësimit që kanë të bëjnë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sassoli po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa në konferencën e përbashkët pas takimit me kryeministrin Rama, u fokusuan në çështjet e integrimit evropian dhe procesin e reformave të ndryshme në Shqipëri.
Rama theksoi në fjalën e tij në konferencë se në qendër të diskutimeve ka qenë procesi i integrimit evropian, sipas tij, në raport me hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama tha se Sassoli përveç se është një ndër figurat më të rëndësishme të skenës politike në Bruksel është një mik i kahershëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe sipas tij një mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimit “që do të thotë edhe i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
“Edhe samiti i fundit i kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Parlamentit Evropian nën kujdesin presidentit Sassoli vetëm pak ditë më parë në Bruksel është një tjetër shembull domethënës i arsyes pse jemi posaçërisht të nderuar nga prania e tij (Sassolit) në Tiranë”, theksoi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi më tej se “Folëm për një gamë të çështjeve. Puna jonë vazhdon njësoj sikur negociatat të ishin hapur sepse është një punë që nuk bëhet se na e kërkojnë në Bruksel, në Paris apo në Berlin, por se na e kërkon domosdoshmëria për ta kthyer Shqipërinë në një shtet me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian”.
“Mbi bazën e dokumenteve të Komisionit Evropian, asnjë vend nuk ka bërë më shumë sesa ne përpara se të çelte negociatat. Disa prej tyre madje kanë bërë reforma kur ishin anëtarësuar. Kemi nevojë për reforma, për të ardhmen tonë, për fëmijët tanë, sepse është e drejtë për ne”, u shpreh Rama.
“Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është i rëndësishëm dhe strategjik”
Sassoli gjatë konferencës tha se dëshirojnë të arrijnë të hapin procesin e anëtarësimit në BE, dhe pastaj procesi i anëtarësimit, theksoi ai, do të thotë të vazhdojë me reforma për të përshtatur standardet jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë vendeve që marrin pjesë në proceset e anëtarësimit, me standardet evropiane.
Ai tha se Shqipëria është duke bërë një punë shumë të rëndësishme që do ta vazhdojë edhe pasi të jetë hapur procesit i anëtarësimit.
“Gjithçka që bëhet është e dobishme për vendet tona, është e dobishme konkretisht për jetën e qytetarëve dhe sigurisht për Shqipërinë që të këtë më shumë transparencë, luftë kundër korrupsionit, luftë kundër kapitaleve të paligjshme, luftë kundër krimit të organizuar. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është me të vërtetë i rëndësishëm dhe strategjik, është i dobishëm, është i domosdoshëm ashtu sikur gjithë proceset e tjera të anëtarësimit që kanë të bëjnë me vendet e Ballkanit Perëndimor, pra të pajtohet hapësira gjeografike me hapësirën politike”, tha kreu i PE-së.
Sassoli theksoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të fillojë dhe në lidhje me këtë proces ai shtoi se. “Është i bindur për këtë Parlamenti, Komisioni Evropian, janë të bindur shumë vende anëtare. Sigurisht flasim edhe për çështjet e sigurisë sonë. Janë çështje të përbashkëta të cilat vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor, por vlejnë edhe për Bashkimin Evropian”.
Kreu i PE-së është takuar edhe me kryeparlamentarin e Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ndërsa do të takohet edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta. Sassoli do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Eunews.al