Ukraina dhe Rusia shkëmbyen të premten nga 270 të burgosur, në fazën e tretë të një procesi që nisi më 19 gusht.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi se në Ukrainë u kthyen 261 ushtarakë dhe nëntë civilë. Shumica e ushtarakëve të liruar kishin marrë pjesë në mbrojtjen e Mariupolit.
Mes të kthyerve janë edhe pjesëtarë të forcave ukrainase që kanë luftuar në rajonet e Donetskut, Luhanskut, Kharkivit, Zaporizhzhias, Khersonit, Kievit, Mykolaivit dhe Chernihivit.
Zelenskyy tha se shumë prej tyre ishin dënuar në mënyrë të paligjshme në Rusi. Sipas tij, mes të liruarve janë pesë persona që besohej se kishin humbur jetën në sulmin ndaj burgut të Olenivkës në korrik 2022.
“Një rezultat shumë i rëndësishëm”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi shkëmbimin, duke bërë të ditur se 270 të burgosurit rusë ndodheshin në Bjellorusi.
Marrëveshja u ndërmjetësua në maj nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Sipas deklaratave të mëparshme të Zelenskyyt, procesi pritet të përfshijë gjithsej 2 mijë robër lufte.
Shkëmbimi i fundit pason një tjetër raund bisedimesh diplomatike në Oslo dhe Shën Petersburg.
Shtabi ukrainas për Koordinimin e Trajtimit të Robërve të Luftës falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për kontributin në lirimin e të burgosurve.
Institucioni veçoi lirimin e Stephen Hubbard, një mësuesi 74-vjeçar të anglishtes nga Iziumi, për të cilin tha se ishte dënuar padrejtësisht dhe ishte torturuar nga pala ruse.
Sipas autoriteteve ukrainase, shumica e ushtarakëve të liruar mbaheshin të burgosur që prej vitit 2022. Disa ishin kapur në vitet 2018 dhe 2020, gjatë luftës në Donbas.


