Një anije tregtare është goditur nga një dron pranë brigjeve të Rumanisë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën një marinari. Tre pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur, ndërsa nëntë janë shpëtuar nga roja bregdetare.
Presidenti rumun Nicușor Dan deklaroi të premten se sulmi ndodhi rreth 13 milje detare nga bregu, pak përtej ujërave territoriale të vendit.
“Sot në mëngjes patëm një incident sigurie: një anije u godit nga një dron afërsisht 13 milje detare larg bregut”, tha Dan, duke vlerësuar operacionin e shpëtimit.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Rumanisë, anija “Khoryv”, me flamur të Komoreve, pësoi dëme të rënda, u përmbys dhe u fundos pjesërisht.
Dan e lidhi incidentin me përshkallëzimin e veprimeve të Rusisë në kuadër të luftës kundër Ukrainës. Ai kishte deklaruar më herët për POLITICO-n se sulmet synojnë të dobësojnë mbështetjen rumune për Kievin, por se Bukureshti nuk do të tërhiqet.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh “thellësisht e alarmuar” nga ajo që e cilësoi si një tjetër përshkallëzim rus në Detin e Zi. Sipas saj, në anije ndodheshin marinarë ukrainas dhe azerbajxhanas.
“Këto sulme të papërgjegjshme shënjestrojnë jetë të pafajshme dhe sfidojnë hapur të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi ajo, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe mbështetje për familjarët e të zhdukurve.
Ngjarja pason një varg sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare pranë Rumanisë dhe Bullgarisë, të dyja vende anëtare të NATO-s. Sipas raportimit, gjatë muajit të fundit janë goditur disa anije mallrash dhe cisterna kimike, me më shumë se 20 viktima gjithsej.
Aleatët e NATO-s u mblodhën të martën për të diskutuar kërcënimet ndaj transportit detar në rajon. Dan tha se Rumania do të marrë kapacitete shtesë për mbrojtjen e zonës.
Reuters raportoi se anijet e goditura gjatë javëve të fundit ndodheshin pranë ose po lundronin drejt Kanalit të Sulinës, që lidh Danubin me Detin e Zi. Kjo rrugë është bërë thelbësore për eksportet ukrainase të drithërave dhe vajit ushqimor, pas sulmeve ruse ndaj porteve të Ukrainës.


