Rregulla të reja për monumentet, bustet dhe muralet në hapësirat publike, Gonxhja: Fund ndërhyrjeve pa kriter

18 Aug 2026 18:36
Shpërndaje:

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor kanë firmosur udhëzimin për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike, duke vendosur procedura dhe standarde të reja për veprat artistike që vendosen në hapësirat publike në vend.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se arti publik nuk mund të jetë më rezultat i improvizimeve, nismave të rastësishme apo ndërhyrjeve pa kritere profesionale.

“Me udhëzimin e ri vendosim rregulla të qarta, standarde profesionale dhe përgjegjësi konkrete për mënyrën se si veprat e artit bëhen pjesë e hapësirës publike, bazuar në vendimin e qeverisë nr. 224, datë 1.4.2026 ‘Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike’”, u shpreh Gonxhja.

Reklamë Ola

Sipas ministrit, udhëzimi synon t’u japë fund ndërhyrjeve që bazohen në preferenca amatore dhe që nuk marrin parasysh aspektet artistike, urbanistike apo arkitektonike.

Në bazë të rregullave të reja, monumentet, memorialet, bustet, skulpturat, muralet dhe instalacionet artistike do t’i nënshtrohen një procesi të strukturuar shqyrtimi dhe vlerësimi profesional përpara se të vendosen në hapësirat publike.

Reklamë InterMedika

Procedura do të nisë pranë bashkisë ku propozohet vendosja e veprës. Bashkia do të shqyrtojë kërkesën dhe dokumentacionin përkatës dhe, pas vlerësimit paraprak, do t’ia përcjellë propozimin ministrisë përgjegjëse për kulturën, përmes Sekretariatit Teknik.

Më pas, Komisioni Shtetëror i Artit në Hapësirat Publike do ta shqyrtojë propozimin nga pikëpamja artistike, estetike, urbanistike dhe arkitektonike. Vendimi i tij do t’i përcillet bashkisë për vijimin e procedurave.

Gonxhja bëri të qartë se pa miratimin e Komisionit Shtetëror, kërkesa për vendosjen e një vepre në hapësirën publike do të refuzohet.

Rregullat do të zbatohen njësoj pavarësisht burimit të financimit të veprës.

“Të njëjtat standarde vlejnë për të gjithë, pavarësisht nëse një vepër financohet nga buxheti i shtetit, bashkitë, subjektet private, donatorët apo partneritetet publike-private”, deklaroi ministri.

Sipas Gonxhes, hapësirat publike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në identitetin dhe imazhin e qyteteve, ndaj ndërhyrjet në to nuk mund të bëhen pa kritere të përcaktuara.

“Hapësira publike nuk është një hapësirë ku secili mund të vendosë çfarë të dojë. Ajo ndërton imazhin e qyteteve tona, ruan kujtesën dhe formëson identitetin tonë të përbashkët”, theksoi ai.

Ministri shtoi se do të zhvillohet edhe një proces orientues dhe koordinimi ndërinstitucional për të lehtësuar zbatimin e udhëzimit të ri nga institucionet përgjegjëse.