Nufi mohon përfshirjen e Shqipërisë në sulmin ndaj anijes ruse: Pjesë e një fushate dezinformimi

24 Nov 2026 • 22:03
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se nga territori i Shqipërisë nuk është kryer dhe as autorizuar asnjë sulm ndaj Rusisë, duke i cilësuar pretendimet për përfshirjen e vendit në goditjen e një anijeje ruse pranë brigjeve të Libisë si pjesë të një fushate dezinformimi.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Nufi tha se përgjegjësia për sulmin pranë Bengazit ishte marrë përsipër nga Ukraina, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë.

Ministri theksoi se Shqipëria nuk disponon mjetet ushtarake të përdorura në këtë incident dhe se çdo veprim i tillë do të kërkonte komunikim dhe koordinim me NATO-n.

Reklamë Ola

Nufi bëri të ditur se pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë u përhapën edhe nga disa portale turke, duke paralajmëruar për intensifikimin e fushatave të dezinformimit dhe ndikimin e tyre në sigurinë rajonale.

Ministri e cilësoi incidentin pranë Bengazit si serioz, ndërsa shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj për stabilitetin evropian.

Reklamë InterMedika

“Situata në luftën në Ukrainë ka precipituar, pasi stabiliteti në Ukrainë është i lidhur me stabilitetin në rajon. Është një situatë tejet shqetësuese, që nga dita në ditë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha”, deklaroi Nufi.

Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet për ndryshimin e kufijve dhe kërkesat për largimin e disa vendeve nga NATO, duke riafirmuar karakterin mbrojtës të Aleancës dhe angazhimin e Shqipërisë për sigurinë kolektive.

Duke iu referuar incidenteve të raportuara në kufirin e Estonisë, ministri paralajmëroi se tensionet dhe fushatat e dezinformimit mund të krijojnë kushte për përshkallëzimin e konflikteve ndërkombëtare.

Nufi u ndal edhe te kërcënimet hibride dhe siguria kibernetike, duke kujtuar sulmin e vitit 2022 ndaj Shqipërisë, i cili, sipas tij, paralizoi rreth 95% të shërbimeve online.

“Sot lufta online dhe dezinformimi mund të bëhen shkak për nisjen e një lufte konvencionale”, theksoi ministri.

Sipas Nufit, lufta në Ukrainë përbën një nga përballjet më të mëdha ushtarake në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, ndërsa përdorimi i teknologjive të reja ushtarake dhe kërcënimeve hibride paraqet sfida shtesë për sigurinë ndërkombëtare.