Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim kryetarin e Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit, kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e mira politike ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të vizitave të nivelit të lartë dhe forcimit të diplomacisë parlamentare.
Begaj riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integrimin evropian të Moldavisë, përgëzoi përparimin e arritur në negociatat me Bashkimin Evropian dhe shprehu gatishmërinë për të ndarë përvojën shqiptare në procesin e anëtarësimit.
Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, tregtinë, turizmin, energjinë dhe teknologjinë e informacionit.
Presidenti Begaj theksoi se forcimi i kontakteve institucionale dhe intensifikimi i shkëmbimeve të nivelit të lartë do të kontribuojnë në konkretizimin e marrëdhënieve të mira politike përmes nismave të përbashkëta, në interes të zhvillimit të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.


