Rama: Qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin anëtarësimin për të përfituar nga BE-ja

27 Nov 2026 • 12:17
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës hapëse në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave në Tiranë, theksoi rëndësinë e integrimit gradual të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Rama e cilësoi këtë një moment vendimtar si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për Evropën, duke nënvizuar se qasja e re e integrimit mbështetet në tri dimensione kryesore: reformat, konvergjencën ekonomike dhe kohezionin rajonal.

Kryeministri vlerësoi përparimin e shënuar gjatë viteve të fundit në konvergjencën ekonomike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ndërsa pranoi se mbeten ende sfida për t’u adresuar.

Reklamë Ola

“Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për vendet e rajonit shoqërohet me kërkesa për rezultate konkrete dhe përmbushjen e angazhimeve reformuese.

Reklamë InterMedika

“Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi”, u shpreh kryeministri.

Samiti i Tiranës synon të vlerësojë ecurinë e zbatimit të Planit të Rritjes, të identifikojë sfidat e ardhshme dhe të përshpejtojë integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.