Zelensky kritikon Trump: SHBA nuk po ushtron presionin e nevojshëm ndaj Rusisë

27 Nov 2026 • 10:09
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur zhgënjimin ndaj Shteteve të Bashkuara për vonesat në furnizimin me raketa antibalistike dhe mungesën e presionit ndaj Moskës në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për BBC, Zelensky kritikoi presidentin amerikan, Donald Trump, për cilësimin e presidentit rus, Vladimir Putin, si “miku im”, duke komentuar edhe fotografinë e publikuar nga Trump, ku shfaqej duke përqafuar liderin rus.

“Ai është një agresor dhe një vrasës. Ai nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mund të jetë”, deklaroi Zelensky, duke e krahasuar një marrëdhënie të tillë me miqësinë me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Reklamë Ola

Presidenti ukrainas theksoi se vonesat në furnizimin me raketa antibalistike po kushtojnë jetë njerëzish në Ukrainë, ndërsa shprehu pakënaqësi për mënyrën se si administrata amerikane po zhvillon negociatat me Rusinë.

Pavarësisht përpjekjeve ndërmjetësuese të të dërguarve të Trump, procesi diplomatik nuk ka shënuar përparim të dukshëm. Raundi i fundit i bisedimeve, i zhvilluar në Abu Dhabi në fillim të këtij muaji, nuk solli rezultate konkrete.

Reklamë InterMedika

“Sa më shumë të dimë, aq më shumë probleme”, u shpreh Zelensky, duke nënvizuar kompleksitetin e negociatave.

Ndërkohë, pjesëmarrja e përfaqësuesve evropianë në raundin e ardhshëm të bisedimeve mbetet e paqartë, për shkak të rezervave të shprehura nga Kremlini lidhur me përfshirjen e tyre.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi përmes platformës Truth Social se gjatë takimit me Putinin në Kinë i kishte kërkuar Rusisë të ndalte agresionin ushtarak në territoret evropiane, duke shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën.

Megjithatë, Zelensky këmbëngul se përparimi në negociata kërkon presion më të madh ndërkombëtar ndaj Moskës dhe garanci të forta sigurie për Ukrainën.