Marta Kos: Shqipëria do të përfitojë 185,6 milionë euro nga Plani i Rritjes

27 Nov 2026 • 12:22
Shpërndaje:

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke njoftuar edhe financimet që do të përfitojnë këto vende.

Gjatë fjalës hapëse në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, Kos bëri të ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë shënuar rezultatet më të larta në përmbushjen e reformave, duke përfituar financime shtesë nga Bashkimi Evropian.

Sipas shifrave të prezantuara nga komisionerja, Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe do të përfitojë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave. Shqipëria do të marrë 185,6 milionë euro në këstin e katërt, ndërsa Maqedonia e Veriut, e cila ka zbatuar 56% të reformave, do të përfitojë 70,9 milionë euro.

Reklamë Ola

Kos nënvizoi se shpërndarja e fondeve nga Plani i Rritjes lidhet drejtpërdrejt me rezultatet e vendeve në përmbushjen e angazhimeve reformuese.

“Fondet janë që të shpërndahen për vendet që performojnë më mirë, ndaj Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes, ndërsa Maqedonia e Veriut 10%”, deklaroi komisionerja.

Reklamë InterMedika

Kos theksoi se Plani i Rritjes është hartuar për të mbështetur reformat ekonomike që ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.