Italia ndalon burkën dhe nikabin në shkolla, gjoba deri në 1 mijë euro

27 Nov 2026 • 10:13
Shpërndaje:

Parlamenti italian ka miratuar përfundimisht ligjin që ndalon mbajtjen e veshjeve që mbulojnë fytyrën, përfshirë burkën dhe nikabin, në ambientet shkollore.

Dhoma e Deputetëve miratoi projektligjin e propozuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni me 142 vota pro dhe 112 kundër, pasi paketa e re ligjore për arsimin kishte marrë më herët edhe miratimin e Senatit.

Masa, e vendosur fillimisht përmes një dekreti të Këshillit të Ministrave, tashmë është miratuar në formën e një ligji. Ndalimi zbatohet në të gjithë territorin e shkollave dhe jo vetëm në ambientet e klasave, ndërsa shkelësit mund të gjobiten deri në 1 mijë euro.

Reklamë Ola

Ligji nuk prek shamitë tradicionale që mbulojnë flokët, por e lënë fytyrën të zbuluar.

Paketa ligjore parashikon gjithashtu kufizime për regjistrimin e nxënësve të huaj që nuk zotërojnë në nivel të mjaftueshëm gjuhën italiane. Duke filluar nga viti shkollor 2027–2028, në klasat e para të të gjitha niveleve arsimore do të zbatohet një kufi prej 30% për këtë kategori nxënësish.

Reklamë InterMedika

Masa do të prekë fëmijët që nuk kanë shtetësi italiane, nuk kanë lindur në Itali dhe nuk kanë ndjekur një kopsht italian për të paktën dy vjet. Në shkollat e mesme, nga kufizimi do të përjashtohen nxënësit që kanë ndjekur institucionet arsimore italiane për të paktën tre vjet.

Gjithashtu, prindërve të nxënësve do t’u kërkohet të mësojnë gjuhën italiane.

Miratimi i paketës ligjore vjen në prag të vitit zgjedhor në Itali, ndërsa qeveria e Giorgia Melonit vijon zbatimin e politikave kufizuese në fushën e emigracionit dhe integrimit. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të zhvillohen në vitin 2027.