Gjykata Speciale, sot përfundon afati për apelimin e aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

27 Nov 2026 • 12:20
Shpërndaje:

Sot përfundon afati për dorëzimin e njoftimeve për apelimin e aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit të 16 shtatorit, duke i cilësuar të padrejta dënimet e shqiptuara nga gjykata.

Sipas procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas dorëzimit të njoftimit për apelim, palët duhet të paraqesin argumentet e tyre brenda afateve të përcaktuara. Afati për dorëzimin e dosjes së apelit është 60 ditë, ndërsa në rastet kur kundërshtohet vetëm masa e dënimit, afati është 30 ditë.

Reklamë Ola

Procedura parashikon gjithashtu mundësinë e paraqitjes së përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve nga palët, ndërsa Paneli i Gjykatës së Apelit mund të vendosë për zhvillimin e një seance dëgjimore.

Në përfundim të shqyrtimit, Paneli i Apelit mund të lërë në fuqi, të ndryshojë ose të shfuqizojë aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes.

Reklamë InterMedika

Në rast se apelimi paraqitet vetëm nga të dënuarit, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë një dënim më të rëndë se ai i vendosur në shkallën e parë.