Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Brukseli protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Shqipëri, duke deklaruar se vëmendja ndërkombëtare ndaj tyre lidhet edhe me atë që ai e cilësoi si “hija e Donald Trump”.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Dytë të Zgjerimit të Bashkimit Europian, Rama iu referua protestave të njohura si “revolucioni i flamingove”, duke theksuar se zhvillimet në Shqipëri kanë marrë një jehonë të gjerë ndërkombëtare.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit ka qenë publike gjerësisht. Pati edhe një emër, revolucioni i flamingove. Tërhoqi vëmendjen e botës sepse pas kësaj është hija e Donald Trump. Nuk jam shumë i sigurt se nëse nuk do të ishte Trump, do të donte t’ia dinte kush për flamingot në Shqipëri”, deklaroi kryeministri.
Rama: Njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë
Kreu i qeverisë i përshkroi protestat edhe si një shprehje të rritjes së pritshmërive të qytetarëve, në një periudhë kur, sipas tij, Shqipëria po përjeton zhvillim të shpejtë ekonomik dhe shoqëror.
Rama theksoi se kërkesat për më shumë vëmendje dhe përmirësim të kushteve të jetesës janë legjitime.
“Është një Shqipëri e re. Njerëzit kërkojnë më shumë, kanë plotësisht të drejtë legjitime të kërkojnë më shumë vëmendje dhe të ngrenë më shumë pikëpyetje se ku janë njerëzit në këtë transformim”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, këto pritshmëri janë të lidhura edhe me procesin e integrimit europian të vendit.
“Ky është fakti pse jemi kaq të lidhur ngushtë me BE-në. Kjo është qasja ime e parë”, shtoi Rama.
Deklaratat u bënë gjatë Forumit të Zgjerimit në Bruksel, ku përfaqësues të institucioneve europiane dhe vendeve kandidate po diskutojnë reformat, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.


