Rama ndan pamjet nga Himara, hapet zyrtarisht sezoni turistik veror 2026
Himara ka hapur zyrtarisht sezonin turistik veror 2026 me një program treditor aktivitetesh kulturore, sportive dhe argëtuese, të zhvilluara përgjatë datave 1, 2 dhe 3 maj në disa prej zonave kryesore bregdetare të qytetit.
Ngjarjet e organizuara nga bashkia përfshinë një gamë të gjerë aktivitetesh, duke sjellë në qendër muzikën live, panaire lokale, aktivitete për fëmijë dhe sporte ujore. Atmosfera festive u shoqërua edhe me kinema në natyrë, festivale dritash dhe performanca artistike që tërhoqën si banorë ashtu edhe vizitorë.
Programi i këtij viti vuri theks të veçantë te sportet dhe aktivitetet detare, ku turistët dhe pjesëmarrësit patën mundësi të provojnë kajak, zhytje dhe aktivitete të tjera ujore përgjatë vijës bregdetare të Himarës.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga çelja e sezonit, duke e përshkruar atmosferën si “tre ditë plot jetë, energji dhe festë”, ndërsa ka theksuar gjallërinë që po karakterizon zonën në nisje të sezonit turistik.
Himara mbetet një nga destinacionet më të kërkuara të rivierës shqiptare, falë plazheve të njohura si Livadhi, Spile, Potami, Llamani dhe Filikuri, që ofrojnë një kombinim të detit të pastër, natyrës së paprekur dhe peizazheve karakteristike të jugut.
Autoritetet lokale dhe turistike synojnë që përmes zgjerimit të aktiviteteve dhe ofertës turistike, Himara të mos mbetet vetëm një destinacion sezonal veror, por të zhvillohet gradualisht në një zonë të vizitueshme gjatë gjithë vitit, duke mbështetur turizmin kulturor, natyror dhe atë aktiv.







