Hoxha në Uashington: Dhuna politike është sulm ndaj demokracisë, Shqipëria përballet me sulme të vazhdueshme kibernetike nga Irani
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Ministerialin mbi rikthimin e terrorizmit politik, të organizuar në Uashington nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në takimin ku morën pjesë përfaqësues nga më shumë se 60 vende, Hoxha theksoi se ekstremizmi politik dhe përdorimi i dhunës për arritjen e qëllimeve politike përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë.
Në fjalën e tij, ministri nënvizoi se Shqipëria ka një qëndrim të qartë kundër çdo forme dhune politike, duke kujtuar përvojën historike të vendit me regjimin komunist.
“Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: në një demokraci, nuk ka as vend dhe as justifikim për dhunën si mjet politik. Historia jonë na kujton këtë lloj rreziku. Dikur një diktaturë brutale komuniste, që jetonte në një botë pa dritë dhe pa shpresë, sot si një demokraci e vendosur, një aleate e përkushtuar e NATO-s, një vend kandidat për t’u bashkuar së shpejti me Bashkimin Evropian dhe një partner i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, ne në Shqipëri e dimë çmimin e lirisë dhe rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike të fituara me mund”, deklaroi Hoxha.
Ministri theksoi se demokracitë duhet të rrisin qëndrueshmërinë ndaj kërcënimeve moderne, duke përfshirë manipulimin e informacionit, ndërhyrjet e huaja dhe sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shtetet.
Ai u ndal veçanërisht te sulmet kibernetike që, sipas tij, Shqipëria ka përjetuar nga Irani, duke theksuar se vendi ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme për t’u përballur me këto sfida.
“Duke u përballur me sulme të vazhdueshme kibernetike dhe hibride nga Irani, Shqipëria ka zhvilluar qëndrueshmëri dhe aftësi të konsiderueshme, një fushë ku vigjilenca dhe investimi i vazhdueshëm janë thelbësore”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e demokracive dhe sigurisë.
“Në botën e sotme të ndërlidhur, asnjë vend nuk është imun. Demokracitë flasin të njëjtën gjuhë. Prandaj, ato duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, të ndajnë informacion, të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe të mobilizojnë të gjitha mjetet e disponueshme për të adresuar sfidat e përbashkëta që kërcënojnë sigurinë tonë, institucionet tona dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës”, përfundoi ministri i Jashtëm.







