×
Friday, July 17, 2026

Hoxha takon ministrin e Jashtëm Serb në Uashington: Shqipëria kundër retorikës që nxit tensione për Kosovën

July 17, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, në margjinat e Ministerialit mbi rikthimin e terrorizmit politik, që u mbajt në Uashington.

Sipas ministrit Hoxha, gjatë takimit të dy homologët shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, kreu i diplomacisë shqiptare bëri të ditur se i përcolli homologut serb edhe qëndrimin e qartë të Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

“Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi Hoxha.

Ministri theksoi se dialogu i drejtpërdrejtë mbetet rruga e vetme për adresimin e mosmarrëveshjeve dhe forcimin e stabilitetit në rajon.

“Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”, përfundoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.




Comments are closed.