Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të kenë më shumë mundësi për t’u rikthyer dhe integruar në tregun shqiptar të punës. Projektligji i ri për nxitjen e punësimit zgjeron kategoritë që mund të përfitojnë nga shërbimet dhe programet publike, duke përfshirë diasporën, të huajt që punojnë ligjërisht në Shqipëri dhe personat që rrezikojnë të humbasin vendin e punës.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përkufizimin e “punëkërkuesit”. Në këtë kategori do të mund të përfshihen edhe shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë Shqipërisë, duke u krijuar mundësi të marrin informacion, orientim dhe të përfshihen në programet e punësimit në vend.
Masa synon të krijojë një urë më të drejtpërdrejtë mes diasporës dhe tregut vendas të punës, veçanërisht për shqiptarët që mendojnë të rikthehen në vend.
Ndryshime parashikohen edhe për shtetasit e huaj që qëndrojnë ligjërisht në Shqipëri për qëllime punësimi. Ata do të kenë akses në shërbimet publike të punësimit, duke përfshirë informacionin për tregun e punës, orientimin profesional, këshillimin dhe ndërmjetësimin për punësim.
Përmes kësaj mase synohet integrimi më i mirë i fuqisë së huaj punëtore në ekonominë shqiptare, por edhe reduktimi i punësimit informal.
Një tjetër risi e projektligjit është krijimi i Observatorit të Tregut të Punës dhe Aftësive. Ky mekanizëm do të ketë si detyrë mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për kërkesën dhe ofertën për punë, profesionet që po zhvillohen dhe aftësitë që kërkohen nga bizneset.
Synimi është që politikat e punësimit të orientohen më shumë nga zhvillimet e pritshme të ekonomisë, duke identifikuar profesionet që po fitojnë terren, ato për të cilat kërkesa po bie dhe aftësitë që do të nevojiten në vitet e ardhshme.
Projektligji zgjeron mbështetjen edhe për personat që aktualisht janë të punësuar, por rrezikojnë të humbasin vendin e punës për shkak të ndryshimeve ekonomike, zhvillimeve teknologjike apo ristrukturimit të kompanive.
Këta punonjës do të mund të përfshihen në programet aktive të tregut të punës, duke përfituar orientim, këshillim dhe riaftësim profesional përpara se të mbeten të papunë.
Ndryshimet synojnë në këtë mënyrë një qasje më parandaluese ndaj papunësisë, në vend që institucionet të ndërhyjnë vetëm pasi një person ka humbur vendin e punës.
Sipas të dhënave për tremujorin e parë të këtij viti, shkalla e papunësisë në Shqipëri ishte 8.4%, ndërsa shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart arriti në 58%.
Me projektligjin e ri, synohet që tregu i punës të përshtatet më shpejt me nevojat e ekonomisë, të përgatisë punonjësit për ndryshimet teknologjike dhe profesionale dhe të krijojë më shumë mundësi për lidhjen e punëkërkuesve me bizneset që kanë nevojë për fuqi punëtore.


