Projekt i ri shëndetësor në Kavajë, Rrugia: Për herë të parë në Shqipëri nis depistimi i plotë i grave nga 25-55 vjeç

04 Oct 2026 • 18:26
Shpërndaje:

Drejtori i Spitalit të Kavajës, Arben Rrugia, në fjalën e tij në takimin e zhvilluar me ekipin e mjekëve të shërbimit parësor, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, dhe ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Në fokus të takimit ishte riorganizimi i shërbimeve shëndetësore dhe forcimi i kapaciteteve, por edhe një projekt i ri për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Sipas Ballës, falë punës së Rrugisë, në Kavajë do të nisë për herë të parë në Shqipëri një program i plotë depistimi për gratë e moshës 25–55 vjeç, në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Kolposkopisë, nga diagnostikimi deri te trajtimi.

Rrugia theksoi rëndësinë e shërbimit parësor në suksesin e kësaj nisme, duke e konsideruar mjekun e familjes si hallkën e parë për identifikimin, ndërgjegjësimin, skriningun dhe ndjekjen e rasteve me risk.

Reklamë Ola

Postimi i plotë i Arben Rrugisë:

“Takimi me mjekët e shërbimit parësor, për të diskutuar për punën tonë, sfidat që kemi përpara dhe, mbi të gjitha, për mënyrën se si mund ta përmirësojmë më tej shërbimin shëndetësor për qytetarët e Kavajës.

Reklamë InterMedika

Dua të shpreh një falënderim të veçantë për punën e tyre të palodhur gjatë sezonit turistik. Kavaja dhe zonat bregdetare përreth përballen gjatë verës me një rritje të ndjeshme të numrit të banorëve dhe vizitorëve, duke shtuar ngarkesën mbi shërbimin shëndetësor. Përkushtimi, profesionalizmi dhe gatishmëria e tyre kanë qenë shumë të rëndësishme për t’iu përgjigjur këtyre nevojave.

Njëkohësisht, sot kemi përpara një objektiv të rëndësishëm dhe ambicioz: parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Kolposkopisë, synojmë të organizojmë një projekt të strukturuar për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të lezioneve prekanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës.

Ky projekt nuk duhet të jetë vetëm një fushatë kontrollesh. Ai duhet të ndërtojë një model të qëndrueshëm parandalimi, ku shërbimi parësor të ketë një rol qendror: identifikimin e grave që duhet të kontrollohen, ndërgjegjësimin e komunitetit, kryerjen e skriningut, orientimin e rasteve me risk dhe ndjekjen e tyre në vazhdimësi.

Qëllimi ynë është i qartë: sa më shumë gra të kontrollohen në kohë, aq më pak gra do të sëmuren dhe aq më pak jetë do të humbasim nga një sëmundje që në një masë të madhe është e parandalueshme.

Prandaj, suksesi i këtij projekti do të varet shumë nga shërbimi parësor. Mjeku i familjes dhe shërbimi parësor janë pika e parë e kontaktit me gruan dhe komunitetin. Të parët janë ata që mund ta kthejnë parandalimin nga një ide në një rezultat konkret.

Le ta shohim këtë projekt si një investim në shëndetin e grave të Kavajës, por edhe si një model që mund të shtrihet më tej.

Ju falënderoj për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin tuaj.”

Ministrja Klodiana Spahiu kërkoi gjithashtu që programet e depistimit të mos kufizohen vetëm në fushata sezonale, por të zhvillohen gjatë gjithë vitit.