Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku në rend dite pritet të jetë shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para nisjes së seancës, Komisioni për Legjislacion pritet të shqyrtojë aspektet juridike të nismës, përfshirë përputhshmërinë e saj me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat parlamentare.
Nisma është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. PDK-ja ka kërkuar ndryshime në juridiksionin dhe funksionimin e kësaj gjykate, ndërsa çështja është kthyer në një nga temat kryesore të përplasjes politike në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të projektligjit, nuk ka konstatuar pengesa ligjore që do të ndalonin procedimin e tij në Kuvend.
Debati për Specialen po lidhet drejtpërdrejt edhe me zgjedhjen e presidentit të ri. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të diskutojë dhe të japë votat për presidentin pasi të miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Pas miratimit të ligjit, jemi të gatshëm të diskutojmë për presidentin”, ka deklaruar Hamza, ndërsa pas takimit të fundit me kryeministrin Albin Kurti nuk është arritur ende një marrëveshje për kreun e shtetit.
Nga ana tjetër, Haxhiu ka kundërshtuar kushtëzimin e procesit për zgjedhjen e presidentit me votimin e ligjit për Specialen. Ajo ka theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të trajtohet si prioritet për të shmangur një tjetër krizë institucionale.
Presioni është shtuar për shkak të afatit kushtetues. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 6 tetori është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit; nëse procesi dështon, vendi përballet me shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare.
Ndërkohë, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë mbështetur edhe nga protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim”, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje ligjore pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Seanca e së hënës pritet kështu të jetë vendimtare jo vetëm për fatin e projektligjit për Specialen, por edhe për negociatat politike mbi zgjedhjen e presidentit, vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues.


