Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka deklaruar se harta e re administrative nuk parashikon “shkrirjen” e bashkive, por bashkimin e disa prej tyre në njësi më të mëdha vendore.
Në një intervistë për Euronews Albania, Mazniku tha se përdorimi i termit “shkrirje” është i gabuar dhe, sipas tij, krijon konfuzion në debatin publik.
“Asnjë bashki nuk shkrihet. Bashkitë bashkohen, dy apo tre bëhen pjesë e një bashkie më të madhe”, tha ai.
Sipas Maznikut, qytetet që do të bëhen pjesë e bashkive më të mëdha do të ruajnë një status të veçantë, me administratorë, struktura përfaqësimi dhe buxhete të dedikuara.
Drafti i Partisë Socialiste parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas propozimit, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja, ndërsa skema e re do të përfshijë edhe një nivel të ri organizimi vendor të quajtur “Qyteti”.
Mazniku tha se procesi do të vijojë me diskutimet në komision dhe shqyrtimin nen për nen të projektligjit, ndërsa dëgjesat me publikun dhe mbledhja e opinioneve tashmë janë zhvilluar.
Reforma pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 8 tetorit. Sipas kalendarit parlamentar të raportuar më herët, mazhorancës do t’i duhen 84 vota për miratimin e hartës së re territoriale.
Mazniku argumenton se qëllimi kryesor i reformës është përmirësimi i administrimit dhe i shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërsa opozita ka kundërshtuar uljen e numrit të bashkive dhe ka kërkuar një tjetër model të organizimit vendor.


