×
Monday, June 22, 2026

Pezeshkian: Irani gati të deklarojë me shkrim se nuk do të ndërtojë armë bërthamore

June 21, 2026


Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se Teherani mund të jetë i gatshëm të nënshkruajë një deklaratë zyrtare me shkrim ku garanton se nuk do të zhvillojë armë bërthamore në të ardhmen.

“Nëse është e nevojshme, ne mund të deklarojmë me shkrim se nuk kemi ndërmend të ndërtojmë një bombë bërthamore”, citohet të ketë thënë Pezeshkian nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.

Presidenti iranian nuk sqaroi nëse kjo mundësi është pjesë e negociatave që kanë nisur mes përfaqësuesve të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Zvicër, ku palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje afatgjatë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit më herët gjatë kësaj jave.

Sipas marrëveshjes kornizë, brenda 60 ditëve duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor iranian, një nga çështjet më të ndjeshme dhe më të debatueshme në raportet mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Pezeshkian përsëriti gjithashtu qëndrimin tradicional të Republikës Islamike, duke theksuar se ish-udhëheqësi suprem Ali Khamenei, i cili sipas autoriteteve iraniane u vra gjatë sulmeve SHBA-Izrael në fillim të konfliktit, kishte refuzuar zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë për arsye fetare.

Sipas tij, udhëheqja iraniane nuk ka synuar dhe nuk synon të pajiset me armë bërthamore.

Presidenti iranian u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se marrëveshjet e arritura deri tani janë “kryesisht në interes të Iranit”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se si hap i parë mund të lirohen rreth 6 miliardë dollarë asete iraniane të bllokuara nga SHBA-ja në Katar, një zhvillim që do të konsiderohej një fitore e rëndësishme ekonomike për Teheranin në kuadër të procesit negociues.




Comments are closed.