Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka reaguar pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku një protestues hoqi dhe grisi flamurin izraelit pranë ambasadës së Izraelit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Peleg theksoi se mbështet të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar dhe për të shprehur lirisht qëndrimet e tyre, por e cilësoi aktin ndaj flamurit si të papranueshëm.
“Mbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar”, shkroi ajo.
Sipas ambasadores, një veprim i tillë nuk i shërben kauzës së protestës dhe cenon imazhin e Shqipërisë.
“Një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”, u shpreh Peleg.
Ambasadorja falënderoi gjithashtu ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për reagimin dhe dënimin e menjëhershëm të incidentit.
Ngjarja ndodhi gjatë një proteste në Tiranë, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me rastin.