Binaj: Më 1 korrik nis rimbursimi 10% për fermerët, përfitojnë rreth 10 mijë persona
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, njoftoi se më 1 korrik do të nisë zyrtarisht procesi i rimbursimit për fermerët, të cilët do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të deklaruara.
Në një intervistë për mediet, Binaj bëri të ditur se rreth 10 mijë fermerë në të gjithë vendin pritet të përfitojnë nga kjo skemë mbështetëse, ndërsa fondi total i përllogaritur arrin në rreth 10.7 milionë euro.
Sipas tij, gjatë këtij viti është regjistruar një rritje e ndjeshme e numrit të autofaturave krahasuar me vitin e kaluar, çka tregon zgjerimin e formalizimit në sektorin bujqësor dhe përfshirjen e më shumë fermerëve në skemën e përfitimit.
Binaj theksoi se administrata tatimore po përgatit procedurat për zbatimin e procesit, me synimin që aplikimi të jetë sa më i thjeshtë dhe i aksesueshëm për fermerët.
“Brenda datës 23 qershor do të informojmë fermerët për mënyrën dhe procedurat e aplikimit. Po punohet për një zgjidhje digjitale, në mënyrë që aplikimet të kryhen online dhe procesi të jetë sa më i lehtë”, deklaroi ai.
Kreu i Tatimeve u bëri thirrje fermerëve të hapin sa më shpejt llogari bankare, pasi pagesat e rimbursimit do të transferohen drejtpërdrejt në llogaritë e tyre.
Aplikimet do të hapen më 1 korrik, sipas procedurave që do të publikohen nga administrata tatimore, ndërsa skema synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë formalizimin e mëtejshëm të aktivitetit bujqësor në vend.







